Lexo Kundër Rrymës.
Mendoje një vend ku idetë gjykohen nga cilësia e tyre, jo nga zëri i atij që i thotë, jo nga siguria me të cilën shprehen, e as nga sa shpejt arrijnë të kapin vëmendjen.
Deri më tani jemi mësuar me debate që shpërblejnë zërin më të lartë. Diskutime që përdorin idetë si armë për të fituar, dhe jo si mjete për të ndërtuar.
Lirizmi ekziston për njerëzit që janë lodhur nga zhurma dhe që besojnë se mendimi i thellë, i hapur dhe i ndershëm mund të ndryshojë diçka. Nuk jemi thjeshtë një platformë tjetër në kërkim të audiencës, por një hapësirë ku mendimi serioz merr vendin që meriton. Ne nuk kërkojmë mendimtarët që kanë të gjitha përgjigjet, por ata që dinë të ngrenë pyetje, që nuk pranojnë statusin quo-në si përgjigje të mjaftueshme, dhe që janë të gatshëm të sfidohen nga një argument më i mirë se i tyri.
Cfarë bejmë
Lirizmi në thelb është krijuar si një proces i strukturuar që i jep një ideje shansin të përpunohet, shqyrtohet, ndërtohet, dhe të bëhet diçka. Çdo ide që hyn në Lirizm fillon si fjalë e shkruar. Jo një postim, as titull, por një argument i shkruar, plotësisht i formuar, përgjegjës ndaj logjikës dhe gjuhës. Shkrimi është vendi ku një ide takon rezistencën e saj të parë, rezistencën e të qënurit preciz në kuptimin e çdo fjalie dhe strukturimin logjik të saj. Shumë ide nuk i mbijetojnë kësaj, por ato që i mbijetojnë, ia vlen t'i ndjekim.
Nga aty, ideja fiton një zë. Një person i vetëm ulet përballë audiencës dhe mban argumentin e tij, jo për të argëtuar, as për të provokuar, por për të mbrojtur. Për të vënë emrin, arsyetimin dhe bindjen e tij pas një argumenti.
Nëse ideja mbijeton, hyn në një dhomë. Një tryezë, me vetëm mendimtarë, pa moderator, pa hierarki, vetëm presioni i mendieve që dinë të ndërtojnë. Ideja vendoset në tryezë për t'u marrë në pyetje dhe rindërtuar. Rregullat e tryezës ekzistojnë për një qëllim të vetëm: t'i detyrojnë mendimtarët të bashkëpunojnë, të ndërtojnë, dhe jo të konkurrojnë. Ajo që del nga ajo dhomë është ajo që ideja bëhet kur është testuar nga rezistenca më e mirë e disponueshme.
Filozofia
Perspektivën tonë e quajmë Idealizëm Pragmatik. Eshtë një gjendje e të parit realitetin me cinizëm për atë cfarë është, dhe kuriozitetin për të imagjinuar idealen e tij.
Pranojmë kompleksitetin jo si barrë, por si pikënisje, sepse vetëm ai që arrin të shohë terrenin qartë, mund të vendosë se ku duhet ecur.
Idealizmi për ne, nuk është një koleksion bindjesh dhe normash të brendshme të shkëputura nga realiteti, por është procesi i të zbuluarit të realitetit për atë cfarë është, duke ndërvepruar me të, dhe duke kërkuar përmirësimin e tij, deri në ideale.
Ne mendojmë se e ardhmja nuk është diçka që na ndodh, por diçka që ndërtohet, gradualisht, nga njerëzit që janë të gatshëm të mendojnë për të, me kujdes.
Komuniteti
Një ide e vetme, sado e fuqishme, nuk ndryshon asgjë. Ajo që ndryshon botën, është kur takon një komunitet të gatshëm ta mbrojë, dhe ta çojë më larg sesa krijuesi i saj kishte imagjinuar. Ajo që bashkon këtë komunitet është anëtarësia me disa vlera të mishëruara. Ato çfarë kërkojmë nga vetja para se t'i kërkojmë nga të tjerët. Çfarë kërkohet nga të gjithë që hyjnë këtu, janë vlerat e domosdoshme për çdo akt krijues:
Mendim i lirë
Shumica e njerëzve nuk i zgjedhin besimet e tyre. I trashëgojnë, i kopjojnë, dhe i mbrojnë sikur të ishin të tyret, dhe ne nuk jemi të interesuar për këtë. Mendimi i lirë është displina e të qënurit i gatshëm të shqyrtosh mendimin tënd kur prezantohesh me një informacion të ri, pa cungimin e besimeve dhe bindjeve ekzistuese. Kërkon që t'u nënshtrosh përfundimeve të tua, të njëjtit presion që u aplikon të gjithë të tjerëve. Një proces i pakëndshëm nga natyra, dhe ajo pakëndshmëri është pikërisht qëllimi.
Hapje
Hapja është gatishmëria për të qëndruar me një ide mjaftueshëm gjatë për ta kuptuar. Një mendje që mbyllet kur prek rezistencën nuk është mendje e fortë. Qëndrojmë të hapur jo sepse çdo ide meriton pranimin, por sepse asnjë ide nuk meriton refuzimin para se të jetë dëgjuar sinqerisht.
Ndershmëri
Ndershmëria është vlera më e vështirë për t'u praktikuar në publik. Gjithmonë ka një fjalë më të butë, një formulim më diplomatik, fjalë të rreshtuara bukur pas njëra- tjetrës të cilat nuk thonë asgjë dhe mbeten bosh në esencë. Ne e refuzojmë këtë. Themi çfarë mendojmë, e themi qartë, dhe mbetemi përgjegjës ndaj saj, edhe kur faktet lëvizin kundër nesh. Ndershmëria pa atë përgjegjësi, është thjesht vetëbesim.
Kuriozitet
Kurioziteti është motorri i çdo arritjeje. Është çfarë mundëson zbulimin e të vërtetës dhe forcën e të imagjinuarit çfarë nuk ekziston ende. Kurioziteti është çfarë mban mendimin gjallë pasi është arritur përfundimi i parë. Aty ku të tjerët kërkojnë bindjen, ne kërkojmë pyetjen e rradhës, sepse e dimë që kompleksiteti i realitetit meriton më shumë se një përgjigje të shpejtë.
Bashkëpunim
Bashkëpunimi është përballja me qëllim krijimin e një diçkaje të re. Nuk është konsensus dhe nuk është as harmoni. Është dy ose më shumë mendje të gatshme të shtyjnë kundër njëra-tjetrës, derisa të fillojë të marrë formë diçka që asnjëri prej tyre nuk mund ta kishte prodhuar vetëm. Mendimi më i mirë nuk është kurrë plotësisht i yti. Pranimi i kësaj, është fillimi i ndershmërisë së vërtetë intelektuale.
Progres
Progresi është arsyeja e vetme pse ekziston Lirizmi. Një këmbëngulje e qëllimshme, e argumentuar, se ajo çfarë është, mund të bëhet diçka më e mirë. Gjithçka në Lirizm, ekziston për t'i shërbyer këtij drejtimi. Nuk pranojmë kundërshtinë e një ideje pa ofruar argumentin e një alternativeje. Jemi këtu për të ndërtuar argumentin për atë që mund të jetë, dhe kemi ndërmend ta mbrojmë atë, derisa të mos mund të injorohet.