Demokracia ekonomike shqiptare
Një analizë e sistemit demokratik dhe paralelizmi i tij në dimensionin politik dhe ekonomik shqiptar. Sepse autokracia dhe oligarkia janë manifestime të së njëjtës patologji...

Sigurisht që për ta kuptuar duhet të kthehemi në gjenezën e demokracisë…
Ajo filloi si një hapësirë kolektive… Agora greke ishte vendi ku qytetari shkonte të angazhohej në komunitet… të takonte, të debatonte, të ndërtonte kuptimin e përbashkët të problemit të ditës dhe asaj që mund të ishte zgjidhja e tij. Çdo qytetar i lirë; fermer apo tregtar, i pasur apo modest, kishte të drejtën themelore për të folur, për të propozuar dhe për të votuar.
Sistemi i parë i hapur social që njeriu ndërtoi.
Parimi që lindi aty mbetet i vlefshëm… se zgjidhja më e mirë nuk vjen nga lart, por nga ndërveprimi i lirë i faktorëve, që identifikojnë problemin nga perspektiva të ndryshme, dhe propozojnë zgjidhjen e tyre.
Demokracia në thelbin e saj është një sistem komunikimi.
Një hapësirë ku faktorët e ndryshëm; individë, grupe, interesa, perspektiva… hyjnë lirisht, identifikojnë probleme kolektive, propozojnë zgjidhjen e tyre, dhe i nënshtrohen gjykimit të lirë kolektiv. Sistemi funksionon mirë sepse procesi i ndërveprimit të lirë i faktorëve të ndryshëm, prodhon zgjidhje më të mira se çdo autoritet do mund të prodhojë i vetëm.
Ky është dallimi themelor midis sistemit të hapur dhe atij të mbyllur.
Në sistemin e hapur, hyrja e faktorëve të rinj është e lirë dhe e inkurajuar. Problemi identifikohet nga ata që e ndjejnë, jo nga ata që kanë vendimmarrjen. Zgjidhja propozohet nga ata që e kuptojnë, jo nga ata që kanë interes ta kontrollojnë.
Në sistemin e mbyllur hyrja kontrollohet, problemi përkufizohet nga lart, zgjidhjet filtrohen para se të arrijnë tek zgjedhësi, dhe votimi bëhet procedurë konfirmimi, dhe jo akt zgjedhjeje. Emri mbetet demokraci, por substanca bëhet diçka tjetër.
Kalimi nga sistemi i hapur tek ai i mbyllur ndodh gradualisht… me çdo ligj që kufizon hyrjen e faktorëve të rinj, me çdo institucion që bëhet mjet i atyre që e kontrollojnë, dhe jo shërbyes i atyre që duhej t’u shërbente.
Autokracia nuk është e kundërta e demokracisë. Është ndalesa drejt saj, kur sistemi fillon të mbyllet dhe askush nuk e vëren ose, askush nuk guxon ta emërtojë.
E njëjta logjikë dhe mentalitet që qeveris demokracinë politike, qeveris edhe atë ekonomike.
Tregu në formën e tij më të pastër është sistem demokratik. Biznesi identifikon problemin që konsumatori dëshiron ta zgjidhë, dhe propozon zgjidhjen e tij. Bizneset komunikojnë me njëra tjetrën për zgjidhjen më efiçente… çmim, cilësi, shpejtësi. Pastaj konsumatori, nëpërmjet votës së tij, parasë… zgjedh cili agjent ekonomik e përfaqëson më së miri. Biznesi që zgjidhet, shpërblehet. Ai që nuk zgjidhet, detyrohet të përmirësohet ose të dalë nga agora ekonomike.
Ky është sistemi i hapur ekonomik. Hyrja e faktorëve të rinj është e lirë. Problemi identifikohet nga konsumatori dhe jo nga sistemi. Zgjidhjet konkurrojnë lirisht. Dhe vota… paraja, rrjedh drejt atij që zgjidh më së shumti probleme, ose problemin më të madh.
Por edhe demokracia ekonomike ka tendencën e saj të vazhdueshme drejt mbylljes.
Kur hyrja e faktorëve të rinj kontrollohet; nëpërmjet lidhjeve politike, liçensave, tarifave dhe taksimeve selektive, ligjeve që mbrojnë operatorët ekzistues… sistemi fillon të mbyllet. Kur biznesi mbijeton, jo nga vota e konsumatorit por nga mbrojtja e sistemit politik… cilësia bëhet opsionale. Konsumatori vazhdon të paguajë, por nuk zgjedh më. Thjesht konsumon atë që i ofrohet. (Besoj këtu mund të bëni paralelizmin edhe me partitë politike aktuale.)
Oligarkia ekonomike dhe autokracia politike nuk janë probleme të ndryshme, por dy fytyra të së njejtës…
Dhe lidhja midis të dyjave nuk është e rastësishme. Sistemi politik i mbyllur ka interes aktiv në mbylljen e sistemit ekonomik, sepse ekonomia e hapur prodhon klasa të mesme të pavarura që nuk kanë nevojë për sistemin politik për të mbijetuar.
Ky është rrethi i mbyllur; autokracia politike prodhon oligarkinë ekonomike dhe oligarkia ekonomike financon dhe mbron autokracinë politike. Të dyja bashkë mbajnë sistemin të mbyllur ndaj faktorëve të rinj politik ose ekonomik që mund ta sfidojnë.
Argumenti klasik mbi dështimin e demokracisë shqiptare është i njohur dhe pjesërisht i saktë.
Demokracia funksionon vetëm në një shoqëri me shtresë të mesme solide dhe të pavarur… sepse shtresa e mesme është faktori që ka mjaftueshëm për të humbur nëse sistemi dështon, dhe mjaftueshëm liri për të kërkuar llogari kur sistemi abuzon. Dhe funksionon vetëm në një shoqëri të mirëedukuar, sepse zgjedhësi që nuk di të dallojë problemin e vërtetë nga narrativa, nuk mund të votojë për zgjidhjen e tij.
Por ky argument, i saktë si diagnozë, ka shërbyer gjithashtu si mburojë për opozitat shqiptare. Si justifikim i gatshëm dhe i ripërsëritur për gjithçka që nuk u ndërtua, çdo reformë që nuk u bë, çdo humbje zgjedhjesh, çdo vizion që nuk u artikulua kurrë.
Kushtet nuk krijohen vetë. Shtresa e mesme e pavarur nuk lind nga vakumi, por nga ekonomia e hapur, nga sundimi i ligjit, nga institucionet që mbrojnë pronën, kontratën dhe konkurrencën e lirë. Shoqëria e mirëedukuar nuk formohet vetvetiu, formohet nga sistemi arsimor që mëson të mendosh dhe të bashkëpunosh, dhe jo vetëm të ripërsërisësh autoritetin e informacionit. Nga media që informon dhe edukon, dhe jo vetëm dekonstrukton. Nga kultura publike që shpërblen integritetin, dhe jo vetëm aftësinë për të luajtur lojën. Të gjitha këto kushte, janë saktësisht ato që faktorët demokratik shqiptarë kishin fuqinë dhe mandatin për t'i ndërtuar në tridhjetë e gjashtë vite, dhe nuk i ndërtuan.
Faktorët demokratike përfaqësuse shqiptare; partitë, institucionet, elitat… nuk dështuan sepse populli nuk ishte gati. Dështuan sepse nuk kishin interes të krijonin kushtet, që do ta bënin popullin të pavarur prej tyre. Ekonomia e hapur do të prodhonte klasa të mesme që nuk do t'u nevojitej patronazhi i tyre. Sundimi i ligjit do t'i bënte llogaridhënës. Edukimi i mendimit kritik do të prodhonte qytetarë që do t'i sfidonin.
Kështu sistemi u mbyll… jo nga paaftësia, por nga interesi dhe mentaliteti i kalbur politik i derivuar nga periudha e errët komuniste… ndoshta edhe nga paaftësia, sepse të bërit diçka shumë mirë jo detyrimisht vërteton që mund të bësh edhe të kundërtën e saj po aq mirë.
Retorika moraliste e paaftësisë dhe e gabimeve të kundërshtarit, shërbeu si zëvendësuese e vizionit strukturor për tridhjetë e gjashtë vite. Nuk kishte nevojë për program… mjaftonte të tregoje se tjetri ishte më i keq. Kriticizmi u bë i barasvlershëm me kompetencën… thua se aftësia për të treguar gabimin e tjetrit të dëshmonte aftësinë tënde për të bërë më mirë.
Por kriticizmi nuk është vizion. Tridhjetë e gjashtë vite kritikë reciproke midis forcave politike nuk kanë prodhuar asnjë ndryshim sepse asnjëra nuk kishte interes në ndryshimin strukturor dhe zgjidhjen e problemeve thelbësore sociale… sepse vizioni, nuk është asgjë tjetër, përpos një zinxhir zgjidhjesh, të ndërlidhura logjikisht dhe kronologjikisht. Por ato kishin interes vetëm në zëvendësimin e njëra-tjetrës.
Dhe tani njerëzit janë zgjuar.
Zgjimi po kërkon jo vetëm zëvendësimin e individit dhe kopeve politike, por po kërkon ndryshime strukturore. Kërkon sistemin e hapur ekonomik dhe politik.
Sepse autokracia dhe oligarkia janë dy manifestime të së njëjtës patologji.
Patologjinë e të dashurit një gjë dhe vetëm një gjë… pushtetin. Jo si mjet për të zgjidhur probleme dhe krijuar diçka, por si qëllim në vetvete. Dhe kjo dashuri ka logjikën e saj të çuditshme dhe të qëndrueshme… problemi nuk duhet zgjidhur kurrë plotësisht, sepse problemi i pazgjidhur është burimi i pushtetit. Varfëria e pazgjidhur, prodhon votues të varur. Papunësia e pazgjidhur, prodhon klientë të patronazhit. Ekonomia oligarkike e pazgjidhur, është burim financimi. Sistemi shëndetësor i pazgjidhur, prodhon njerëz që u drejtohen atyre që mbajnë çelësat.
Çdo problem i madh shoqëror, ka qënë një minierë pushteti… dhe ata kanë pasur interes, vetëm ta shfrytëzojnë.
Fatkeqësisht, ky është mentaliteti dominues socio-politik- ekonomik në shqipëri... dhe një mentalitet mbijetese, i shfrytëzimit të gjithkujt dhe gjithçkaje, nuk ka kurrë qëllimin, hapësirën, dhe as kreativitetin për të zgjidhur probleme.
Prandaj dhe sistemi i ri do u takojë krijuesave...



