BASHKOHU LËVIZJESLEXO KUNDËR RRYMËSDËRGO ESEMENDO I LIRËQËNDRO I HAPURMENDO NDRYSHEKRIJONDËRTOJMË BASHKË

Politikë-ngrënësit

Një reflektim personal mbi krijesën që shumëkush mund ta ketë njohur teksa ajo zvarritej në ngjitje.

By
Egli Sakej
Published
14 Sep 2026
Reading
5 min
Section
Personal
WhatsApp Image 2026 09 12 at 9.15.36 PM

Shqiptari jeton çdo ditë me politikë. Para kafes së parë, para dushit, duke ngrënë, pas seksit. Telefoni. Lajmet. Kush tha çfarë?! Kush sulmoi kë?! Çfarë ndodhi gjatë natës në banaqet mediatike?! Cila është batuta e natës?! Cili është skandali i ditës?!

Dhe pastaj dita fillon…

Atij i duhet të bëjë politikë për çdo gjë; për një vend pune, për arsimin e fëmijës së tij, për të aksesuar sistemin shëndetësor, për të marrë të drejtën gjyqësore… i duhet të hyjë në ndërveprimet absurde me tendeca të pakuptimta. Dhe në këtë ekosistem, mund të vëresh një njeri të transformuar që zvarritet në ngjitje... politikëngrënësit.

Politikëngënësi nuk thotë kurrë atë që vërtet mendon… por e thotë me një bindje të tillë, sa edhe ai vetë e beson për aq kohë sa e thotë.

Ai kur të rritet do të bëhet diplomat. Fle si diplomat, ha si diplomat dhe lan dhëmbët si diplomat.

Ai turret të mbrojë me fanatizëm partinë e tij revolucionare për idealet e saj… dhe pastaj të thotë qetësisht se shpreson për një vend pune nga deputeti i saj i ardhshëm. Idealet dhe CV-ja bashkëjetojnë në një harmoni të çuditshme.

Ai e ka më të thjeshtë të krijojë skenare dhe sistem të rrjetëzuar spiunazhi dhe thashethemesh, mundësisht edhe ta ndërkombëtarizojë atë, sesa të jetë i hapur dhe i vërtetë me ty.

Politikëngënësja mund të thotë çfarëdo lloj gjëje në sy të gjithkujt… mjafton që të konfirmojë mendimin tënd në tentativat e saj për servilizëm.

Asaj i pëlqen politika, por nuk e mban mend saktësisht çfarë i pëlqyen të parat… llogjet, apo analizat e aktualitetit. Ndoshta filloi me llogjet dhe përfundoi me politikë në përpjekje për të intelektualizuar veten.

Ajo imiton saktësisht tonalitetin dhe gjestikulacionin e autoritetit. 

Politikëngrënësi flet për meritokracinë me gojën plot, dhe rekruton vetëm njerëz që i frikësohen dhe e adhurojnë në servilizëm.

Ai organizon debate, por refuzon çdo gjë që dikush thotë që nuk e ka menduar ai vetë.

Politikëngrënësi mban nënqeshjen e vetëkënaqur kur të provokon me tendencë, por ngel si peshk kur merr përgjigjen që nuk e pret.

Ai shan autokracinë çdo ditë, por nuk ngurron të përmendë autoritetin e tij në çdo argument.

Ai nuk ngurron të të etiketojë bazuar në idealet e tij, por asnjë mëngjes nuk zgjohet me hipokrizinë e njëjtë.

Politikëngrënësja admiron një njeri të zgjuar por të keq dhe nënçmon një njeri të paditur por të mirë. Thellësia e karakterit e çorodit. Më mirë mos ta pyesësh për definicionin e të qënurit “i zgjuar”.

Ajo nuk e ka problem të shprehë ambicien si kryeministrja e parë femër… në të njëjtën bisedë ku nuk di të shpjegojë një politikë publike.

Ajo shkon të lexojë fatin dhe ekzaltohet kur i thonë që do jetë femër me pushtet. Fallxhorja e njeh audiencën e saj.

Ajo thotë se vlera që përfaqëson lideri i partisë së saj është lidershipi… rrjedhimisht vlera e saj e vetme në parti është ndjekja.

Politikëngrënësi masturbon inteligjencën e tij duke ngacmuar dhe nënçmuar çdokënd poshtë tij. Por kompleksohet intelektualisht dhe indinjatën ta shpreh me ofendim.

Ai krijon besim me ty duke sharë të tjerët, qoftë dhe shokun e tij të ngushtë. 

Ai të flet për rëndësinë e të përbashkëtës, dhe e vetmja gjë kolektive që vërtet i intereson, është seksi.

Politikëngrënësi nuk kundërshton kurrë në sy, por gjithmonë pas shpine. 

Ai të flet për patriotizëm por e ngatërron me egon e përkëdhelur e të jetuarit në një fshat të vogël ku e njohin të gjithë.

Ai të përsërit fjalët e dëgjuara gjetkë… se do të gjejë kuptimin në punën që bën, se do të krijojë impakt… dhe pastaj të kërkon një pagesë, ndërkohë që është sodomizuar për gjysmën e asaj shume.

Ai ka marrë aq shumë forma të ndryshme, sa nuk mban mend më kush është e vërteta e tij.

Politikëngrënësja do të egalitarizojë sistemin e drejtësisë, dhe mburret për kontaktet e saj në sistem. Të dyja i thotë me të njëjtin entuziazëm.

Ajo ka opinion të fortë për çdo gjë dhe bindje për asnjë. Mendimet e saj varen nga kush e paguan të mendojë.

Ajo urren t'i thuash të vërtetën. Ka jetuar në gënjeshtra për shumë gjatë dhe e vërteta i duket intruzion.

Politikëngënësi nuk ngurron t'i thotë studentit të tij kur fillon të shkëlqejë pak, se çdo gjë e ka nga ai… edhe femrat. Thua se ka shkuar edhe që ta shtyjë nga mbrapa.

Ai nuk ngurron të t’i numërojë kontaktet, dhe i ka të gjithë shokë, por asnjëri nuk e beson.

Ai ndihet bosh dhe ndjen kënaqësi në manipulimin e njerëzve dhe pushtetin e të ekspozuarit jetën e tjetrit.

Ai thotë që urren nepotizmin dhe klientelizmin, pak minuta se t’i kërkojë favor dikujt për një vend pune.

Politikëngrënësja flet shumë dhe nuk thotë asgjë, por frekuenca kompenson mungesën e esencës.

Ajo është e gatshme të thotë çdo gjë për çdokënd, përpos për veten e saj. Vetëreflektimi është luksi i vetëm që ka vendosur të mos e ketë.

Politikëngrënësja as të afërmit të saj nuk ngurron pa arsye t'i përmendë nderin që i ka bërë, për t'i rikujtuar vetes dhe atij, pushtetin politik të saj.

Ajo nuk e ka problem të thotë sekretet e tua, për aq kohë sa fiton relevancë në bisedë. 

Ajo është operiste por kur të rritet do të bëhet drejtoreshë ekzekutive në qeveri.

Politikëngrënësi të flet gjithë ditën për imoralitetin e të tjerëve. Kjo është mënyra e tij për të relativizuar imoralitetin e tij, duke krijuar rradhë përpara.

Ai nuk ka asgjë të mirë për të thënë për askënd, por është më komplimentuesi kur i takon ata.

Ai do të shkojë për studime jashtë, që kur të kthehet të vjedhë si të tjerët, por me më shumë stil dhe me autoritetin e diplomës.

Ai të flet për të shpëtuar Shqipërinë, por problemi më i madh social që e shqetëson është rrafshtësia e kokës së deputetëve. Dëshiron të kontribuojë në parlament me rritjen e mesatares së radianit të kokës.

As nuk dua ta imagjinoj deformimin e njeriut që arriti në këtë ekosistem, të zvarritej deri në majë, cilado qoftë ajo. Por nga kjo perspektivë, mund t’ia kuptosh paaftësinë, që të kthejë kokën mbrapa për të parë dëmin e bërë gjatë zvarritjes, dhe për të mbajtur përgjegjësi për të. Por gjithsesi i kuptojmë, sepse e dimë çfarë i bëri të jenë kështu... një mjedis që shpërbleu mbijetesën në një sistem politik. Ata janë pasqyra e një shoqërie që u mësoi se politika nuk është mjet për të ndryshuar botën, por është mjet për të mbijetuar në të.

Nëse ka një qëllim të vetëm për shoqërinë e re shqiptare, është të krijojë mjedisin që nuk i prodhon më… sepse njeriu nuk lind politikëngrënës, mësohet. 

Columnist

Egli Sakej