Partia e njerëzve
Si duket partia e njerëzve…partia e krijuar për të zgjidhur problemet reale sociale?!

Në shkrimin e mëparshëm arritëm në një përfundim të thjeshtë dhe të errët; partitë shqiptare nuk prodhuan vizion sepse nuk ishin ndërtuar për të zgjidhur problemet e shqiptarëve. Ishin ndërtuar vetëm për të marrë dhe mbajtur pushtet.
Tani lind pyetja e pashmangshme…
Si duket partia e njerëzve…partia e krijuar për të zgjidhur problemet reale sociale?!
Çdo parti shqiptare e tranzicionit u ndërtua rreth dy departamenteve kryesore.
Komunikimi me publikun (PR) dhe sekretariati. E para prodhonte mesazhin… narrativën; çfarë duhej besuar, kush duhej fajësuar, çfarë premtohej. E dyta siguronte që ajo narrativë të shndërrohej në votë dhe në turmë… militantizëm.
Kur pushteti merrej, struktura nuk transformohej, por vetëm zgjerohej. E njëjta parti bëhej më e madhe. Departamenti i PR-it bëhej makineri propagandistike profesionale me media të kapura dhe narrativa të koordinuara. Sekretariati kthehej në një sistem patronazhi të optimizuar…punë, kontrata, dhe leje të shpërndara sipas besnikërisë. Opozita kur merrte pushtet bënte saktësisht të njëjtën gjë, sepse e njëjta arkitekturë, prodhon të njëjtin rezultat pavarësisht emrit mbi derë. Partia aktuale në pushtet arriti mundësisht ta perfeksionte këtë arkitekturë dhe t’i bashkonte keto departamente. Sistemi i patronazhit u përdor për propagandë, dhe makineria propagandistike për patronazhin e mendimtarëve.
Rezultati i tridhjetë e gjashtë viteve që tani çdokush mund ta shohi qartë… është një parti e madhe me dy emra. Dy propaganda që luftojnë njëra-tjetrën. Dy sisteme patronazhi që konkurrojnë për të njëjtën tokë. Dhe asnjë departament i dedikuar ndonjëherë zgjidhjes së një problemi real… sepse problemi i pazgjidhur ka qënë burimi i tyre i pushtetit.
Partia e njerëzve ndërtohet ndryshe… jo rreth autoritetit të partisë, por rreth problemeve shoqërore… njerëzve.
Departamenti i ekonomisë është komunitet i ekonomistëve, biznesmenëve dhe qytetarëve që punojnë mbi problemet ekonomike reale… jo kur të merret pushteti, por tani. Departamenti i arsimit është komunitet i mësuesve, prindërve dhe ekspertëve që dizanjojnë mekanizmat për instalimin e vlerave kolektive të një shoqërie funksionale në shekullin e sotëm. Departamenti i shëndetësisë, është komuniteti i mjekëve dhe ekspertëve që identifikojnë problemet e thekshme të sistemit aktual dhe sugjerojnë zgjidhje të kontekstualizuara. Grupi i arkitektëve punojnë mbi urbanistikën. Departamanti i politikës së jashtme punon me diasporën. Departamenti i drejtësisë, dhe ndoshta më i rëndësishmi, është një grup ligjvënësish, që duan dhe dinë të krijojnë një shtet të së drejtës dhe shtyllën kurrizore për një shoqëri të re.
Pa propaganda, por dokumentim i ndershëm dhe i vazhdueshëm i realitetit; çfarë është, çfarë mungon, dhe çfarë mund të ndërtohet. PR-i i kësaj partie nuk është makineri mesazhi. Është një dritare transparente mbi të gjithë këtë proces. Ajo nuk tregon çfarë do të bëjë partia kur të marrë pushtetin, por tregon çfarë po bën tani.
Vizioni nuk deklarohet, por dokumentohet.
Kur kjo parti merr pushtet nuk shpik asgjë. Zgjerohet dhe vë në veprim atë që ka ndërtuar tashmë. Njerëzit e departamenteve, nuk janë politikanë me gjasme superioritet moral, që mësojnë ministrinë nga zeroja… por janë ekspertë që kanë punuar me problemin për një kohë të gjatë, kanë gjetur kuptimin e tyre në zgjidhjen e problemeve komplekse sociale, kanë vërtetuar ndjeshmërinë ndaj problemeve reale shqiptare, dhe aftësinë për të ndërvepruar dhe krijuar struktura në zgjidhjen e tyre.
Sepse, nëse ka një armik që partia e njerëzve duhet të luftojë, është mungesa e ndjeshmërisë ndaj problemeve shoqërore, dhe injorancën në zgjidhjen e tyre.
Ky është një ndryshim strukturor nga arkitektura dhe dizajni i mekanizmave.
Partia e njerëzve nuk kërkon besimin tënd, e fiton. Duke e bërë procesin të dukshëm dhe të verifikueshëm para se të kërkojë pushtet. Ky është i vetmi dallim që ka rëndësi… njëra kërkon besimin tënd pa bërë asgjë, dhe tjetra e fiton duke bërë gjithçka para se të kërkojë pushtet.
Shumëkush do të tentojë ta imitojë këtë formë. Do të krijojnë departamente me emra të bukur dhe dokumentime të dizajnuara mirë. Por forma e re është e kopjueshme… substanca e saj jo, sepse substanca kërkon njerëz që u intereson zgjidhja, dhe jo pushteti. Dhe ata dallohen jo nga fjalët, por nga procesi dhe nga kauzat e tyre.
Paralajmërimi më i rëndësishëm është për ata që do të ndërtojnë nga brenda… Shumë do të tentojnë të operojnë me metodat e vjetra sepse ato janë të njohura dhe komode, por metodat dhe shtigjet e së shkuarës nuk të çojnë në një vend të ri.
Partia e njerëzve nuk është thjesht produkt i mirëbesimit, por është produkt i një procesi ndryshe… dhe procesi ndryshe, kërkon guximin për të hequr dorë nga komoditeti i njohur dhe për të ecur drejt diçkaje që nuk ka precedent në historinë politike shqiptare… kërkon ekselencën teknike mbi çështje sociale, dhe kontrastin e sjelljes sistemike… ose siç shumëkush preferon ta quajë, kontrastin moral.
Kjo është sfida e saj… dhe njëkohësisht, vlera e saj.



