Portreti i elitës
Një portretizim i mentalitetit të elitës aktuale shqiptare dhe pasojat e tij...

Ekziston një lloj i veçantë njeriu që del nga errësira e zgjatur. Jo i thyer. I uritur. Dhe përtej urisë, diçka më e fortë… një bindje se bota i detyrohet gjithçka që iu mohua.
Elita shqiptare është ai njeri, i shumëzuar në një klasë politike.
Ata u rritën brenda një shoqërie aq të mbyllur dhe aq të kontrolluar sa që mendimi individual nuk ishte thjesht i dekurajuar, ishte i rrezikshëm. Vetja kurrë nuk u lejua të formohej plotësisht. Identiteti ishte kolektiv, i imponuar dhe i mbikëqyrur. Për dekada një brez i tërë mësoi të tkurrej në padukshmëri vetëm për të mbijetuar.
Dhe pastaj muret u rrëzuan...
Çlirimi psikologjik i atij momenti nuk mund të ekzagjerohet me fjalë. Për herë të parë iu lejua të dëshironin diçka… të ishin dikush. Të ekzistonin përtej asaj që sistemi lejonte. Por një individ që është shtypur për aq gjatë nuk del gradualisht dhe shëndetshëm. Shpërthen. Dhe një individ që shpërthen nuk pyet çfarë u detyrohet të tjerëve. Pyet çfarë i detyrohet më në fund atij.
Kjo është gjeneza psikologjike e gjithçkaje që pasoi.
Një reagim thellësisht njerëzor ndaj shtypjes që nuk gjeti kurrë kundërpeshën e saj morale. Liria erdhi… përgjegjësia kurrë.
Përbuzja nuk erdhi papritur, por u rrit dalëngadalë.
Kur hasën perëndimin, nuk panë një pasqyrë të asaj që vendi i tyre mund të bëhej. Panë dëshmi të asaj që vendi i tyre nuk ishte. Hendeku midis Shqipërisë dhe shoqërive funksionale që po zbulonin, nuk ndjehej më si një gjendje të kontekstit historik që duhej adresuar, por filloi të ndihej si një pasqyrim i vetë njerëzve. Prapambetja e tyre. Mentaliteti i tyre. Paaftësia e tyre. “Njerëz me bisht”.
Urrejtja që pasoi ndihej si kthjellësi. Si të shihje qartë për herë të parë pas disa vitesh verbërie të imponuar. Ata adoptuan estetikën perëndimore, gjuhën perëndimore… jo si mjete për të ndërtuar diçka, por si shënjues distance. Mënyra për të sinjalizuar sa larg kishin udhëtuar nga vendi i tyre. Sa më shumë e poziciononin veten larg realitetit shqiptar aq më të sofistikuar dukeshin. Para të tjerëve dhe më e rëndësishmja, para vetvetes.
E njëjta përbuzje që fuqitë koloniale historikisht e drejtuan nga jashtë, u drejtua brenda nga një elitë vendase që kishte emigruar psikologjikisht ndërkohë që mbetej fizikisht në pushtet. Ata shikuan popullin e tyre ashtu si një i huaj shikon një kulturë që e konsideron primitive. Me një përzierje mëshire, irritimi dhe mosrespektimi të thellë.
Dhe ai shikim pati pasoja... sepse kur qeveris një popull që ke vendosur tashmë se është nën ty, vendimet e tua pasqyrojnë atë gjykim. Reforma bëhet e kotë…”Nuk do ta kuptonin”. Institucionet bëhen dekorative… “Nuk do t'i përdornin siç duhet”. Llogaridhënia bëhet opsionale… “Nuk meritojnë më të mirë se kaq.”
Përbuzja u bë justifikimi i heshtur për gjithçka që i bënë shoqërisë.
Pushteti i erdhi këtij brezi… njerëzve që kishin këputur tashmë obligimin e ndjerë ndaj shoqërisë që do të qeverisnin. Dhe në atë hapësirë të këputur dy gjëra u rritën që do të ishin më shkatërruese se çdo ideologji… liria absolute në një papërgjegjshmëri të thellë.
Ekziston një logjikë psikologjike që është pothuajse e kuptueshme. Një brez që pësoi privim të vërtetë, që iu mohua kushtet e dinjitetit njerëzor dhe shprehjes së vetvetes, zhvillon një libër llogarish. Një kontabilitet privat të gjithçkaje që iu mor. Çfarë vodhën nga shteti, çfarë thyen nga institucionet, çfarë morën nga shoqëria… asgjë prej tyre nuk u regjistruan si korrupsion në psikologjinë e tyre. U regjistrua si kompensim. Një borxh që po shlyhet më në fund.
Kjo është ajo që i bën aq të paprekshëm nga turpi. Nuk mund të turpërosh dikë që beson se ka fituar gjithçka që ka marrë.
Dhe përgjegjësia… obligimi për të ndërtuar diçka, për të riparuar diçka… nuk arriti kurrë sepse nuk u ndie kurrë. Përgjegjësia kërkon një lidhje të ndjerë me pasojat e vendimeve të tua. Kërkon të kujdesesh për atë që u ndodh njerëzve që vendimet e tua prekin. Por ata e kishin kryer tashmë atë shkëputje vite para se të mbanin ndonjë pushtet.
Ishin njerëz të lirë që qeverisnin një përgjegjësi që nuk e kishin pranuar kurrë.
Katëmbedhjetë vite. Asnjë ndryshim sistemik. Asnjë institucion i forcuar. Jo sepse janë të paaftë. Sepse një njeri që ndjen se nuk i detyrohet askujt, nuk ndërton asgjë për askënd tjetër, përveç vetes.
Ekziston një lloj i veçantë shtypjeje që nuk deklarohet. Nuk ka nevojë për uniforma apo forcë të dukshme. Funksionon nëpërmjet diçkaje më të qetë… presionit atmosferik të të qeverisurit dhe drejtuarit nga njerëz që kanë vendosur tashmë se sa dhe për çfarë vlen.
Elita shqiptare drejton me atë presion të aplikuar vazhdimisht.
Ata do jua thonë… dhe e besojnë sinqerisht… se janë thjesht realistë rreth njerëzve që drejtojnë. Se korrupsioni është i nevojshëm sepse shqiptarët nuk i përgjigjen asgjëje tjetër. Se fasadat janë të mjaftueshme sepse shqiptarët nuk e bëjnë dot diferencimin. Se reforma e vërtetë është e pamundur sepse mentaliteti nuk e lejon. Ata kanë ndërtuar një filozofi të tërë drejtuese nga përbuzja e tyre dhe e kanë veshur si pragmatizëm ekzistencial.
Dolën nga errësira e luftës së klasave, por përbuzjen e morën me vete.
Kjo është qasja shoviniste. Jo e drejtuar ndaj një populli të huaj por ndaj popullit të tyre. Një kolonializëm i brendshëm i administruar nga njerëz që janë larguar mendërisht dhe emocionalisht nga shoqëria.
Por këtu fillon dhe bëhet e padurueshme…
Një shoqëri që absorbon këtë qasje për gjatë, fillon ta kthejë atë ndaj vetes. Përbuzja e elitës nuk qëndron në majë. Filtrohet poshtë nëpër çdo shtresë të ndërveprimit shoqëror derisa shoqëria fillon të shohë veten nëpërmjet të njëjtave sy. Shqiptari që thotë: kështu jemi, shqiptari këtë do, asgjë nuk do të ndryshojë kurrë, shqiptarit mund t’i bësh çdo gjë, mjaft ëndërrove por rritu… nuk është cinik. Është një nxënës besnik i mesazhit që mjedisi i tij ka dhënë vazhdimisht për tre dekada.
Shtypja në një moment të caktuar nuk kërkon më shtypësin për të ruajtur veten. Shoqëria bëhet mëshuesja i kufizimeve të veta. Personi që guxon të mendojë ndryshe dhe të refuzojë logjikën e sistemit, nuk dënohet nga lart. Dënohet nga fqinjët, kolegët, shokët dhe gjithë bashkevuajtësit e tij. Sepse shpresa në një mjedis të pashpresë lexohet si naivitet idiotesk. Integriteti në një mjedis të korruptuar lexohet si budallallëk, dhe kështu… sistemi imunitar shoqëror, sulmon qelizën e shëndetshme.
Kjo është arritja përfundimtare e qasjes shoviniste. Jo thjesht një popullsi e nënshtruar. Një shoqëri që ka adoptuar nënshtrimin si identitet.
Pjesa më shqetësuese nuk është se çfarë elita bëri me pushtetin. Është se shoqëria që i prodhoi ata, vazhdon t'i prodhojë. Fytyra të ndryshme… i njëjti mentalitet.
Fabrika vazhdon të punojë!



