DËRGO ESEABONOHUKURIOZITETMENDJE E HAPURBASHKËPUNIMTË HAPUR NDAJ IDEVENDERSHMËRIPROGRESBASHKOHU LËVIZJES!

Të zënë duke dyshuar njëri-tjetrin

Reflektim mbi mungesën e besimit në shoqërinë shqiptare.

By
Egli Sakej
Published
6 Aug 2026
Reading
5 min
Section
Social
WhatsApp Image 2026 08 06 at 3.19.43 PM

Hapa derën për një zonjë teksa dilte nga ambienti i bankomatit për tek i cili po nxitoja. Ajo kaloi, u ndal për një çast të shkurtër dhe pastaj e ndaloi diçka. Më shikoi nga xhami teksa dera mbyllej mes nesh.

“Nuk ka kartëmonedha. Ju lutemi provoni përsëri më vonë.”

Duke dalë, m'u kujtua ngurrimi i saj. Ajo kishte qëndruar tek ai ekran pikërisht para meje. E dinte, dhe pothuajse tha diçka…e ndjeja në retrospektivë…por diçka e zmbrapsi.

Nuk do t'i kushtonte asgjë. Një fjalë, një gjest të vogël. Ndoshta do të qeshnim bashkë për një çast, dy njerëz të bashkuar kundër një makinerie disfunksionale. Në vend të kësaj, unë hyra brenda, ekrani dha zhgënjimin e tij dhe secili e mbajti indinjaten e vet, vetëm.

Nuk e fajësoj.

Çfarë e ndaloi nuk ishte mospërfillje apo indiferencë. Ishte diçka më e vjetër dhe më automatike. Një kalkulim që ndodh nën ndërgjegjen shqiptare. Mbytja e një impulsi, para se të marrë formë. Një mençuri e brendshme e grumbulluar gjatë dekadave që thotë - “mbaje për vete, nuk e di me kë ke të bësh.”

Me logjikën e saj, ajo ndoshta kishte të drejtë. Dhe ajo logjikë iu mësua shumë më para se të shkëmbeheshim tek ajo derë.

Diku në kujtesën e afërt të këtij vendi të çmendur, t'i besosh një të huaji i kushtoi njerëzve gjithçka. Jo metaforikisht. Një fjalë e gabuar te personi i gabuar, një çast hapjeje me dikë që rezultoi se të vëzhgonte…dhe jeta jote mund të shembej. Për dekada të tëra kjo ishte thjesht gjendja.

Ajo kujtesë nuk zhduket sepse një sistem ndërroi emrin. Ngulitet në trup, mbetet në koshiencë. 

Ajo ndoshta nuk e di as vetë që e mbart.

Mendo çfarë humbi ai moment i vogël. Jo në mënyrë dramatike. Thjesht praktikisht.

Dy sekonda nga zëri i saj do të më kishin kursyer pesë minuta kohë të humbur. Gjë e vogël. Por shumëzoje me çdo ndërveprim në një ditë të zakonshme shqiptare…çdo transaksion që kërkon garanci, çdo marrëveshje që ka nevojë për dëshmitar… çdo marrëdhënie që fillon me një performancë në vend të një vërtetësie… dhe fillon të ndjesh rëndesën e saj.

Besimi është infrastrukturë. Si rrugët apo energjia elektrike. Kur funksionon, nuk e vëren. Kur mungon, gjithçka zgjat më shumë, kushton më shumë dhe të rraskapit më shumë se ç’duhet. Një shoqëri që nuk mund t'i besojë vetes paguan një taksë për çdo ndërveprim. Jo gjithmonë në para. Në energji. Në grumbullimin e ngadaltë që vjen nga të mos u hapurit kurrë plotësisht ndaj asgjëje apo askujt.

Dhe nuk është vetëm ekonomike. Kostoja më e madhe është një jetë e jetuar në dyshim të vazhdueshëm…çdo i huaj që mbetet i huaj, çdo bashkëpunim i mundshëm që nuk fillon kurrë… çdo moment si ai te dera, ku diçka pothuajse ndodhi mes dy njerëzve dhe pastaj në heshtje nuk ndodhi.

Kjo nuk ndodhi rastësisht.

Një shoqëri që nuk mund t'i besojë vetes nuk mund të lëvizë bashkë. Dhe një shoqëri që nuk mund të lëvizë bashkë nuk mund të bëjë pyetje të vështira dhe të bashkohet në kërkim të një përgjigjeje. Mosbesimi që ndihet si një gjendje personale, si diçka intime, është gjithashtu jashtëzakonisht i përshtatshëm për ata që kanë qeverisur këtë vend gjatë tre dekadave të fundit.

Është më e lehtë të kontrollosh njerëz që janë të zënë duke u dyshuar mes njëri-tjetrit.

Kjo, jo domosdoshmërisht për shkak të një dizajni të vetëdijshëm. Askush nuk u ul në një dhomë dhe planifikoi automatizimin e shoqërisë shqiptare. Por sistemi që doli nga tranzicioni… institucionet e kapura, demokracia performative, ekonomia e ndërtuar mbi fasada…funksionon përfektësisht në një mjedis me besim të ulët. Elita politike thjesht trashëgoi dëmin dhe në heshtje oportuniste, vendosi të mos e riparojë kurrë atë.

Ngurrimi i zonjës së moshuar dhe bankomati bosh… premtimi i papërmbushur i politikanit dhe gënjeshtra e panevojshme e biznesmenit, janë të gjitha pjesë e së njëjtës arkitekturë. Kate të ndryshme të së njëjtës ndërtesë.

Dhe ndërtesa ka qenë shumë fitimprurëse për një numër shumë të vogël njerëzish.

Ende mendoj për atë zonjë, por jo shumë për ta gjykuar dhe diçka më shumë për ta kuptuar. Ajo bënte çfarë bën çdo person i arsyeshëm në një mjedis që kurrë nuk ka shpërblyer hapjen. Po mbronte veten nga një rrezik aq i vogël sa ishte pothuajse i padukshëm. Dhe duke bërë këtë po e kalonte mësimin më tej. Tek unë. Tek personi tjetër. Tek të gjithë ata që kalojnë nëpër atë derë.

Por çfarë kam mësuar edhe mbi sjelljen time, duke u endur në këtë kaos absurd shqiptar…njerëzit nuk janë vetëm ata që janë. Janë gjithashtu aty ku janë. Vendos të njëjtin person në një mjedis tjetër, në një që shpërblen vazhdimisht aktet e vogla të sinqerta, një që krijon ndërveprime të sigurta… dhe trupi do çmësojë impulsin e vetëmbrojtjes së tij. Jo menjëherë, ndonëse mund të habitesh sa shpejtë, por… ndryshon.

Zonja, nuk kishte nevojë për një mësim rreth besimit. Ajo kishte nevojë për një mjedis ku t'i besoje një të huaji kishte funksionuar mjaft herë më parë. Ku gjesti i vogël ishte takuar me mjaftueshëm reciprocitet të thjeshtë njerëzor që të mos kërkonte më kurajo për t'u bërë.

Ne kemi ndërtuar mjedisin e kundërt për dekada. Çdo institucion i kapur, çdo premtim i thyer, çdo gënjeshtër e panevojshme në çdo transaksion të vogël, çdo bisedim i tërthortë, çdo humor tendencioz, çdo shikim investigativ, ka qenë një mësim për në drejtimin tjetër. Duke depozituar dyshim çdo ditë në një shoqëri që ishte e ngopur me të.

Kështu që pyetja nuk është pse shqiptarët nuk i besojnë njëri-tjetrit. Kjo pjesë është plotësisht logjike.

Pyetja është çfarë lloj mjedisi do ta bënte besimin zgjedhjen më racionale. Çfarë strukturash, çfarë hapësirash, çfarë përvojash të përsëritura do të duhej të ekzistonin që me kalimin e kohës të formohej një reagim ndryshe.

Jo nëpërmjet idealizmit. Nëpërmjet dizajnit të mekanizmave.

Ngurrimi i zonjës nuk është një dënim i përjetshëm. Është një reagim i kushtëzuar ndaj një mjedisi të kushtëzuar… dhe kushtet mund të ndryshojnë.

Ndryshimi fillon nga diçka pothuajse shumë e vogël për t'u parë. Ndoshta, edhe nga ky shkrim, mund të kujtohemi që kemi një “makineri disfunsionale” që qëndron çdo ditë mes nesh si arsye për tu bashkuar. Por çfarë është e sigurtë, është që fillon me të kuptuarit se ngurrimi te dera, kurrë nuk kishte të bënte me të… kishte të bënte me gjithçka që e mësoi të mos besonte.

Columnist

Egli Sakej