Psikoanalizë ekonomike
Panorama e faktorëve socio- ekonomik shqiptarë, të parë nga një perspektivë psikoanalitike.

Tirana ngrihet çdo mëngjes nën peshën e betonit të vet.
Ndërtesat grumbullohen ngusht njëra-tjetrës si njerëz që kanë harruar si të lënë hapësirë për njëri-tjetrin. Gri… gjithmonë e papërfunduar… e ngritur me nxitim dhe e lënë… si diçka që dikush filloi dhe pastaj humbi interesin.
Nëpër trotuaret e ngushta ecën një shoqëri e plakur… ngadalë, me peshën e dekadave, e zënë me veten… dhe i riu i detyruar të ecë buzë rrugës sepse nuk ka hapësirë për atë që dëshiron të ecë më shpejtë. Ashtu ai ecën i rrethuar nga kaosi i zhurmshëm dhe shkatërrues duke pyetur cfarë do jetë viktima e rradhës, ose kush, ndoshta do jetë ai vetë, ndoshta ai tashmë është… por nuk e di ende.
Rrugët bllokojnë. Trotuaret bllokojnë. Infrastruktura e munguar nuk është thjesht problem teknik, është ndjesi. Ndjenja e dikujt që i është cunguar liria për të lëvizur, për të arritur, për të qenë diku tjetër brenda vendit të vet.
Dhe kur toka të bllokon, sytë ngrihen lart.
Qielli mbetet i vetmi horizont i pakufizuar. Dhe në atë horizont… vijat e bardha të avionëve që shkojnë diku tjetër simbolizojnë vende të tjera, mundësi të tjera… gjithçka që ai kërkon dhe nuk e gjen këtu.
Çdo ditë, pothuajse njëqind shqiptarë e marrin atë vendim. Lindjet bien në heshtje në një vend me kulturën e lindshmerisë së lartë, i cili po humbet ngadalë vazhdimësinë e tij.
Ky është peizazhi… por çfarë e prodhon atë?
Jashtë Tiranës toka është e gjerë dhe e pasur. Por bujku nuk ushqen ekonominë… vetëushqen veten.
Bujqësia shqiptare nuk është sektor produktiv, por është sistem i institucionalizuar i mbijetesës. Rreth 40% e popullsisë është e bllokuar në të, jo nga zgjedhja por nga mungesa e çdo alternative tjetër të qëndrueshme. Jo fermerë me vizion, teknologji dhe treg, por mbijetues me lopatë dhe sezon. Horizonti nuk shkon përtej fushës. Puna nuk akumulon njohuri. Viti i ardhshëm është identik me vitin e kaluar… keq, në mos më keq.
Nga pikëpamja e ekonomisë së zhvillimit ky model është katastrofik. Bujqësia e vogël e fragmentizuar dhe pa investim, pa aftësim dhe pa akses në treg, nuk krijon vlerë të shtuar… e konsumon atë. Njeriu punon për të ngrënë dhe jo për të prodhuar. Kapitali human mbetet i papërdorur, produktiviteti mbetet i pandryshuar, dhe çdo vit që kalon gërryen edhe më tej potencialin e një popullsie të tërë.
Por efekti psikologjik është po aq shkatërrues sa ai ekonomik. Njeriu që jeton kështu për dekada zhvillon një mentalitet të ngushtë, shkurtpamës, pa imagjinatë, pa kapacitet për të konceptuar diçka përtej ciklit të mbijetesës. Izolimi gjeografik bëhet izolim mendor.
Ky nuk është dëm i rastësishëm. Është rezultat i një sistemi që ka gjetur interes në mos transformimin e bujqësisë. Sepse një popullsi e bllokuar në tokë, e izoluar, e varfër dhe e zënë me mbijetesën e vet… nuk ka aftësinë për pyetje të vështira, dhe nuk do guxonte t'i bënte edhe sikur t'i kishte.
Vazhdojmë në tragjedinë psiko- ekonomike të rradhës…
Industria mungon… pavarësisht gjithë pasurive natyrore që ky vend mban nën dhe mbi tokë. Dhe mungesa e saj nuk sjell vetëm dëm ekonomik por edhe social.
Nga perspektiva e ekonomisë industriale, industria nuk është thjesht sektor prodhimi… është ekosistem i tërë i akumulimit të njohurive, specializimit dhe inovacionit. Kur industria mungon, mungon e gjithë kjo shtresë. Nuk ka aftësim sepse nuk ka kërkesë për aftësi. Nuk ka specializim sepse nuk ka kompleksitet prodhimi që e kërkon. Nuk ka inovacion sepse nuk ka treg që e shpërblen. Ekonomia mbetet e sipërfaqësore, pa thellësi, pa shtresëzim, pa zinxhirë vlere që komplimentojnë njëra-tjetrën.
Por dëmi i vërtetë nuk matet në GDP. Matet në kapitalin human.
Një popullsi e aftë dhe e zgjuar, e cila nuk ka pasur kurrë mundësinë të zbulojë çfarë mund të prodhojë, çfarë vlen dhe çfarë mund t'i shtojë shoqërisë. Një popullsi e pazhvilluar, jo nga mungesa e potencialit por nga mungesa e kushteve të tregut.
Aty ku nuk ka aftësim, nuk ka dinjitet profesional. Ku nuk ka dinjitet profesional njeriu nuk e njeh vlerën e vet. Dhe njeriu që nuk e njeh vlerën e vet, pranon çdo çmim që i ofrohet. Njeriu bëhet i shfrytezushëm nga mosdija e vlerës së tij të vërtetë.
Mbi këtë boshllëk ngrihet betoni.
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme zënë një peshë të madhe të ekonomisë shqiptare… jo sepse prodhojnë vlerë reale, por sepse janë kanali më i mirë i disponueshëm për kapitalin informal. Betoni është bërë i vetmi investim i prekshëm, i shitshëm, i paverifikueshëm dhe me kthimin më të shpejtë.
Por për të kuptuar vërtet këtë sektor duhet të kuptosh strukturën që e kontrollon.
Ky sektor funksionon si një skemë piramidale me qeverinë në krye. Në majë të piramidës qëndron vendimmarrja politike… lejet, kontratat publike, planet urbanistike, financimet. Çdo shtresë poshtë saj funksionon vetëm nëse ka akses tek shtresa sipër. Askush nuk është i lirë brenda kësaj piramide… të gjithë janë të lidhur me të… dhe kjo do të thotë se çdokush që dëshiron të bëhet pjesë, duhet të luajë lojën politike. Duhet të njohë dikë. Duhet t'i detyrohet dikujt. Duhet të hyjë në sistemin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve të pashpjegueshme, ku leja nuk është e drejtë ligjore por është favor politik.
Kështu sektori i vetëm me rritje të prekshme në ekonominë shqiptare bëhet edhe shkolla e vetme e funksionimit… luaj politikanin ose vdis.
Cilësia nuk ka treg sepse tregu nuk funksionon.
Në një ekonomi normale biznesi ndëshkohet nga tregu kur dështon… klienti largohet, reputacioni bie, konkurenca fiton. Ky mekanizëm i thjeshtë është forca që detyron çdo biznes të përmirësohet vazhdimisht. Është disiplina e tregut… e ftohtë, ndonjëherë e padrejtë, por e domosdoshme. Fërkimi dhe përplasja me njëri- tjetrin në kushte të barabarta të disa faktorëve ekonomik, duke u bërë më të shndritshëm, më të lëmuar, por edhe duke lënë në fund disa të thyer sepse nuk ishin të fortë mjaftueshëm sa të përmirësonin njëri- tjetrin.
Kush ka studiuar biznesin, ka dëgjuar të paktën një herë shprehjen, ‘Klienti është i pari’. Pastaj doli në tregun shqiptar dhe kuptoi se këtu klienti është i fundit.
Biznesi që mbijeton nga pastrimi i informalitetit dhe leja politike nuk ka nevojë për klientin e kënaqur. Klienti mund të largohet dhe biznesi vazhdon sepse burimet e tij nuk varen nga tregu. Cilësia e shërbimit, sjellja ndaj konsumatorit, produkti i ofruar… të gjitha këto bëhen të parëndësishme kur mbijetesa e biznesit varet nga lidhjet politike dhe jo nga performanca tregtare.
Rezultati është një kulturë biznesi ku përgjegjësia ndaj klientit është opsionale dhe përgjegjësia ndaj tregut është inekzistente.
Investimet qeveritare rriten por është shenjë e zgjerimit të një sistemi pa llogaridhënie.
Në teorinë ekonomike ekziston një dallim themelor midis shpenzimit të parave të tua dhe shpenzimit të parave të të tjerëve. Kur shpenzon paratë e tua, kujdesesh. Kur shpenzon paratë e të tjerëve, thjesht shpenzon. Specialisti i qeverisë vendos mbi projekte milionashe me paratë e taksapaguesve, njerëzve që paguajnë çdo muaj një abonim që nuk mund ta anulojnë. Dhe ndryshe nga çdo biznes privat që ndëshkohet nga tregu kur dështon, specialisti i qeverisë nuk ndjen kurrë drejtpërdrejt pasojat e vendimeve të tij.
Nuk ndëshkohet kur projekti dështon dhe nuk mëson kur investimi nuk prodhon. Vendimi bëhet me paratë e të tjerëve, pa frikë dhe pa përgjegjësi.
Papërgjegjshmëria nuk qëndron në majë por zbret sistematikisht nëpër çdo shtresë të administratës dhe bëhet kulturë operative e të gjithë sistemit.
Tani kalojmë në atë cfarë do të ishte shtylla kurrizore në një organizëm të shëndetshëm.
Mungesa e sundimit të ligjit hap alternativën e fundit dhe më të rrezikshme.
Sundimi i ligjit nuk është thjesht mekanizëm ndëshkimi… është sistemi që krijon parashikueshmëri, besim dhe bazën mbi të cilën ndërtohet çdo marrëdhënie ekonomike dhe shoqërore. Kur ligji zbatohet në mënyrë selektive, të varur nga lidhjet politike dhe jo nga faktet, ai ndalon së qeni ligj dhe bëhet instrument pushteti.
Por degradimi nuk ndalon këtu.
Kur përgjegjësia ligjore bëhet opsionale, fillon të degradojë edhe përgjegjësia morale. Njëra ushqen tjetrën. Njeriu sheh se askush nuk llogaritet për asgjë… as për shkeljet ligjore, as për vendimet e gabuara dhe as për dëmin e shkaktuar ndaj të tjerëve.
Rezultati i të gjithë faktorëve të lartpërmendur, është një ndjenjë e thellë dhe e përhapur e papërgjegjshmërisë kolektive. Por kjo nuk është krizë morale… është produkt i një sistemi që e ka eliminuar çdo stimul për të qenë përgjegjës.
Paralelisht gjithë këtyre tragjedive socio- ekonomike, Shqipëria fatmirësisht ka një krah të ngrohtë ku është mbështetur gjithë këtë kohë… e gjetur në pamundësinë për të qëndruar e fortë me këmbët e veta, në një ekosistem të brishtë dhe të paparashikueshëm… dhe ai krah është diaspora.
Diaspora dërgon para dhe konsumi vazhdon në ciklin e mbijetesës, por Shqipëria vazhdon të mos prodhojë asgjë.
Ky model i mëson vendit një mësim të rrezikshëm… se shpëtimi vjen nga jashtë. Nuk nevojitet të ndërtosh, të prodhosh, të rrezikosh. Mjafton të presësh… dhe nëse pritja bëhet strategji kombëtare, iniciativa vdes.
Çdo ditë njerëz largohen…lindjet bien.
Kur largimi bëhet opsioni më racional, mentaliteti kolektiv ndryshon në mënyrë të padukshme por të thellë. Askush nuk planifikon të qëndrojë, prandaj askush nuk investon në të qëndruar, as në biznes, as në komunitet, as në marrëdhënie dhe as në të ardhmen e vendit.
Planifikimi afatgjatë zëvendësohet nga oportunizmi afatshkurtër. Pyetja nuk është si ta përmirësoj këtë realitet duke ndërvepruar me të, por si ta shfrytëzoj maksimalisht para se të largohem. Dhe kur ky bëhet mentaliteti dominant, shoqëria humbet edhe dëshirën kolektive për t'u përmirësuar.
Peizazhi është i qartë kur e shikon nga lart.
Pothuajse gjithçka në këtë sistem duket e ndërtuar për të prodhuar të njëjtin rezultat: largimin e atyre që mund të krijojnë, heshtjen e atyre që mbeten, dhe vazhdimësinë e vetvetes.
Dhe megjithatë, ekziston një faktor që asnjë strukturë nuk mund ta eliminojë plotësisht sado t’ia betonizosh interesat dhe ta injorosh.
Njeriu.
Sepse njeriu mund të mësohet me varfërinë, por jo pafundësisht me poshtërimin. Mund të heshtë gjatë, por jo përgjithmonë.
Prandaj absurdi shqiptar nuk qëndron vetëm në faktin se një vend me kaq potencial prodhon kaq pak nga vetja. Absurdi qëndron në përpjekjen e vazhdueshme për t’i bindur njerëzit se kjo është gjendja natyrore e gjërave.
Por asgjë nuk është më e rrezikshme për atë strukturë sesa momenti kur shoqëria pushon së besuari në fatalizmin e saj.
Sepse në çastin që njeriu sheh qartë mekanizmin që e mban të lidhur, fillon edhe revolta… dhe revolta nuk lind nga shpresa… ajo lind nga qartësia… nga ai moment i rrallë kur një shoqëri sheh veten në pasqyrë për atë çfarë është, dhe vendos se nuk dëshiron të jetojë më ashtu.
Ky është fillimi i një ndryshimi të vërtetë.



