DËRGO ESEABONOHUKURIOZITETMENDJE E HAPURBASHKËPUNIMTË HAPUR NDAJ IDEVENDERSHMËRIPROGRESBASHKOHU LËVIZJES!

Telefoni i prishur dhe imitimet

Të ngecur në ciklin vicioz të imitimeve.

By
Egli Sakej
Published
6 Aug 2026
Reading
4 min
Section
Personal
Untitled design (8)

Dikur mendoja se isha i vetmi që e shihte.

Pastaj kuptova se nuk ishte çështje shikimi por çështje dëgjimi. Kur fillova të dëgjoja me vëmendje… jo zërin, por atë që ishte pas tij… bota rreth meje mori një formë tjetër… më të errët… më të qartë.

Fillon të ndodhë diçka e çuditshme. Fjalët fillojnë të duken të njejta… me stil të ndryshëm, me intonacion të ndryshëm, me siguri të ndryshme, por të njejta në thelb. Si eko të një zëri që nuk e mban mend saktësisht se kur e dëgjove për herë të parë.

Dikush tha diçka, tjetri e mori dhe e tha, i treti e mori nga i dyti dhe e tha ndryshe, i katërti nga i treti.

Dhe unë ulem dhe dëgjoj dhe pyes veten… me kë po flas? Cilit duhet t’i kthej përgjigje tani? Estetikën verbale të kujt duhet të sfidoj, sepse kjo është gara e vërtetë këtu. Jo garë e ideve… gara e formës. Kush e ripërsërit me më shumë stil… kush e performon me më shumë bindje… kush duket më i sigurt ndërkohë që thotë diçka që nuk e ka menduar kurrë vetë.

Sepse mendimi kritik kërkon diçka që ky mjedis nuk e ka mësuar kurrë… një moment ndalese midis marrjes dhe dhënies. Ai moment këtu nuk ekziston. Njerëzit nuk ndalojnë… marrin dhe japin… dëgjojnë dhe ripërsërisin. Media u tregon për çfarë duhet të shqetësohen. Autoriteti intelektual u tregon si duhet ta shprehin atë shqetësim. Trendi i momentit u tregon sa intensivisht duhet ta ndjejnë… dhe nëse u jep diçka të re për të ndjerë dhe menduar… jashtë skriptit… përballesh vetëm me ca qepalla sysh te hapur dhe një heshtje vijuese… pa pyetje të mëtejshme thelluese… sikur u ke këputur një fije komunikimi.

Dhe ata vazhdojnë të ndjejnë…me porosi, me saktësi, me performancë të përsosur të dikujt që nuk e di se po performon.

Esenca tretet në këtë proces… e vërteta bashkë me të. Dhe mbeten vetëm fjalë të bukura rreth asgjëje, të ripërsëritura me bindje nga njerëz që janë të bindur se po flasin me zërin e tyre.

E shoh këtë çdo ditë dhe pyes, a e sheh dikush tjetër?

Elita e parë që doli nga errësira e komunizmit, pa perëndimin dhe vendosi ta imitojë. Kjo do të ishte e bukur nëse do arrinte ta kuptonte… por nuk e kuptoi. Mori fasadën dhe la substancën. Mori estetikën dhe la institucionet. Mori retorikën e demokracisë dhe la thelbin e saj.

Dhe sot Shqipëria ka dy liderë që pretendojnë se janë armiq politik… ndoshta edhe e besojnë… por kanë kërcyer të njëjtën valle për aq gjatë sa trupi u ka harruar si të lëvizë ndryshe. Tani bëjnë tango… njërën dorë më dorë, tjetrën në bel…sy më sy. I ndan vetëm distanca e hundës…

Unë e shoh dhe pyes… e sheh dikush tjetër? Sepse sistemi që prodhon absurdin e fsheh me kujdes, dhe ata që e ripërsërisin e mbrojnë pa e ditur. Diktaturat nuk vdesin me diktatorin por jetojnë në sjelljen e atyre që mendojnë se i mbijetuan. Autokracia zbret… jo sepse dikush e urdhëron… por sepse është e vetmja mënyrë e njohur e organizimit. Dhe imitimi vazhdon i heshtur dhe i vazhdueshëm për ata që janë brenda tij.
Politikani imiton vetë autokratin që e shan dhe aktivisti imiton vetë politikanin që e kritikon.

Ata që nuk imitojnë bëhen të padukshëm, të padobishëm… dhe gjërat e padobishme në një shoqëri mbijetese zhduken vetë… pa bujë, pa gjurmë, sikur nuk kanë qenë kurrë aty.

Kështu ecën i riu nëpër këtë absurd që askush tjetër nuk e sheh. Duke parë atë që të tjerët nuk e shohin. Duke ndjerë nga brenda ndërkohë që të gjithë të tjerët ndjejnë me porosi. 

Por unë e di që ekzistoni.

Jeni kudo… ndoshta të fshehur në ndonjë cep të errët ku sistemi ju la sepse nuk dinte çfarë të bënte me ju, ose ju nuk dinit çfarë të bënit në të… sepse nuk imitonit, nuk performonit, nuk ripërsërisnit me bukuri atë që ju kërkohej.

Ata që pyetën dhe morën përgjigje të heshtura. Ata që kërkuan të vërtetën kur të gjithë ishin të zënë duke e përsëritur gënjeshtrën e bukur. Atyre që ju thanë se duan të ndryshojnë njerëzit, por në fakt po kalonin të zhgënjyer duke kërkuar të ngjashmin e tyre.

Ju nuk jeni gabim. Jeni të hershëm në një realitet që po ju pret për ta krijuar. Boshllëku që u mbush me kopje të zbehta mund të mbushet me diçka origjinale. Me mendim që vjen nga brendësia. Me ndjenjë që nuk pret leje. Me njerëz që guxojnë të mendojnë ngadalë, ndërkohë që të rrethuar nga një kor zhurmues repetitiv dhe plotë vetëbesim. Kuriozët, ata që ende guxojnë të mendojnë dhe të ndjejnë ndryshe.

Por kjo vetëm nëse guxojmë të çmendemi…

Columnist

Egli Sakej